Brazili ka vazhduar pa gabime në ndeshjet eliminatore për Botërorin e vitit të ardhshëm, teksa pa shumë probleme mundi Uruguain, që luajti pa Luis Suarez, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Tite regjistroi fitoren e katërt nga po aq ndeshje të zhvilluara, ndërsa çështjen e fituesit e zgjodhën që në pjesën e parë.
Arthur me një goditje jashtë zone zhbllokoi ndeshjen, kurse Riçarlison me kokë më pas realizoi edhe golin e qetësisë në fundin e pjesës së parë.
Në pjesën e dytë Kavani ishte protagonist me vendasit, me një karton të kuq të marrë për një ndërhyrje të rëndë, ndërsa në minutën e 77-të atyre iu anulua një gol i shënuar nga Kaseres, për shkak pozitës jashtë loje.
Fitore identike 2:0 regjistroi edhe Argjentina në udhëtim te Peru, falë dy golave të shënuar nga Gonzales (17’) dhe Martinez (28’), që në fazën e hershme.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm u zhvillua edhe ndeshja Paraguai-Bolivi, që u mbyll me barazimin 2:2, kurse një ditë më parë Kili u mposht nga Venezuela.
Arturo Vidal shënoi sërish për kilianët, por kjo nuk mjaftoi, pasi Venezuela në fund shënoi fitore 2:1. Fitoren më të thellë të ndeshjeve të xhiros së katërt e realizoi Ekuadori, që si vendas mundi Kolumbinë me shifrat 6:1.
Brazilin kryeson renditjen me 12 pikë maksimale, Argjentina me 10 pikë renditet në pozitën e dytë, për të vijuar më pas Ekuadori me 9 pikë.