Maqedonia ka shënuar fitore minimale 2:1 përballë Estonisë, edhe pse në këtë përballje “verdhekuqtë” u paraqitën me shumë mungesa, njofton “infOSport.mk”.
Angellovski e nisi këtë takim pa yjet si Pandev, Bardhi, Alioski, Dimitrievski dhe Ademi. Kësisoj sulmi udhëhiqej nga Nestorovski, i cili kishte ndihmën në prapavi nga Trajkovski dhe Triçkovski. Pikërisht ky i fundit në minutën e 29-të kaloi në epërsi Maqedoninë, duke mposhtur për herë të parë portierin estonez, Hein.
Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë dhuroi futboll më të bukur me më shumë aksione nga të dyja kombëtaret, ndërsa me pak më shumë fat Maqedonia mund ta mbyllte këtë takim edhe me ndonjë rezultat më të thellë.
Estonia falë super golit të shënuar nga Sapinen në minutën e 52-të barazoi shifrat në 1:1, ndërsa për fitoren e Maqedonisë u përkujdes rezervisti, Vlatko Stojanovski, i cili me kokë në minutën e 68-të shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve.
Ishte ky goli i dytë për ish sulmuesin e Renovës me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, që falë kësaj fitore vazhdon të mbajë vendin e parë në grupin 2 të Ligës “C”. Pas 5 ndeshjeve Maqedonia me 9 pikë kryeson renditjen para Gjeorgjisë që 6 pikë dhe një ndeshje më pak, ndërkohë Estonia me vetëm 2 pikë renditet në pozitën e fundit, transmeton “infOSport.mk”.
Ndeshjen e rradhës të besuarit e trajnerit Igor Angellovski do ta zhvillojnë të martën kundër Armenisë në Qipro. Me fitore eventuale, Maqedonia do të ruante pozitën e parë dhe do të siguronte një vend për në ndeshjet e “play-off”, ndërsa në këtë mënyrë vitin tjetër, në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve do të luante në Ligën “B”.