Pas barazimit pa gola (0-0) në miqësoren ndaj Azerbajxhanit, Sllovenia të dielën do të ballafaqohet me Kosovën, ndeshje kjo e vlefshme për grupin C të Ligës së Kombeve.
Në prag të këtij takimi që do të zhvillohet në Ljublanë, ka folur edhe trajneri slloven, Matjazh Kek, i cili ka potencuar se futbollistët e tij ndaj Kosovës duhet të jenë shumë më agresivë, në rast se dëshirojnë të marrin një rezultat pozitiv.
“Ndeshja kundër Azerbajxhanit ishte për të parë se ku jemi. Ndaj Kosovës duhet të jemi shumë më agresiv, pasi në të kundërtën mund të dështojmë.”, është shprehur fillimisht Kek.
“Kosova është një kundërshtar shumë i fortë. Në ndeshjen e parë na munguan shumë lojtarë të cilët tani janë rikthyer. Ne do të analizojmë gjithçka së bashku dhe do të përgatitemi mirë sepse duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Pastaj do të ballafaqohemi me Greqinë.”, përfundoi Kek.
Pas 4 xhirove të zhvilluara në grupin 3, Sllovenia kryeson renditjen me 10 pikë, ndërkohë Kosova ka vetëm 2 pikë dhe renditet si e treta në grup.