Strategu tetovar Dashmir Beari ka debutuar me fitore në bankinën e Gostivarit, duke rikthyer këtë skuadër në binarët e duhur, njofton “infOSport.mk”.
Pas dy disfatave të njëpasnjëshme, nga Kadino (0:3) dhe Ohrid Lihnidos (0:1), sot skuadra e KF Gostivarit në terren vendas mundi Labunishtën me rezultatin 3:0, duke mbajtur kështu hapin për pozitën e parë me Skopjen, që në anën tjetër kishte demoluar Vardarin e Forinës (6:0).
Golin e parë për Gostivarin e realizoi Genc Gashi në minutën e 28-të, kur pasi pranoi një top në zonën kundërshtare nga ana e Ivan Nastevskit, reagoi mjaft mirë duke mposhtur portierin mysafir Mitev.
Ky gol doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa në pjesën e dytë fjalën kryesore e kishte sulmuesi Hristijan Kirovski, i cili shënoi edhe dy gola të tjerë.
Ish sulmuesi i Shkëndijës fillimisht në minutën e 80-të solli qetësinë e duhur në mesin e futbollistëve vendas, ndërsa një minutë para fundit të takimit, falë disa kombinimeve të mira në zonën kundërshtare, Kirovski me të djathtën e tij shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Gostivarin, që falë kësaj fitore vazhdon të mbaj hapin me skuadrën kryesuese të Skopjes, transmeton “infOSport.mk”.
Pas 11 xhirove Gostivari numëron 23 pikë, ndërkohë Skopje në pozitën e parë ka një pikë më shumë. Javën që vjen Gostivari do të jetë mysafir i Korabit në Dibër.