Vllaznia e Shkodrës është treguar shumë e pamëshirshme ndaj Elbasanit në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Shqipërisë, duke mundur me rezultatin e thellë 8:0, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Brdariç konfirmoi edhe një herë se po kalon një formë shumë të mirë dhe ruan perfeksionin me katër fitore që nga nisja e sezonit të ri, dy në kampionat dhe dy në kuadër të Kupës.
Pjesa e parë ishte e vrullshme për shkodranët, të cilët shënuan plotë 4 herë në rrjetën e elbasanasve, ndërsa pikërisht në këtë pjesë dy gola realizoi kërçovari, Demir Imeri. Ishte ky goli i tretë për Imerin në ndeshjet zyrtare me Vllazninë e Shkodrës, për të cilën skuadër kishte shënuar edhe në ndeshjen debutuese ndaj Erzenit.
Përveç tij gjatë pjesës së parë për Vllazninë shënuan edhe boshnjaku Haris Dilaver dhe braziliani Ismael Dunga, ndërsa në pjesën e dytë në listën e golashënuesve u regjistruan edhe gjermani Kristofer Mandiangu, Çoba dhe braziliani Viktor Da Silva, i cili realizoi dy golat e fundit në minutat 83 dhe 88, transmeton “infOSport.mk”.
Kujtojmë Vllaznia e Shkodrës në 1/16 e finales kishte eliminuar ekipin e Devollit me rezultat 7:0. Pra dy ndeshje në kuadër të Kupës me një gol-averazh 15:0. Vllaznia e frikshme po rikthehet, mu në momentet kur pjesë e saj janë edhe futbollistët nga Maqedonia, Mevlan Adili dhe Demir Imeri, duke mos harruar këtu edhe Aleksandar Isaevskin.
Ndryshe ndeshjet e 1/8 së finales në kuadër të Kupës së Shqipërisë mbyllen nesër me ndeshjen Laçi – Egnatia (13:30h).