Mevlan Adili, mbrojtësi i afruar te Vllaznia janarin e këtij viti, shumë shpejt u shndërrua në një nga futbollistët kryesorë të skuadrës shkodrane.
Shkupjani duke folur dje para mediave lidhur me sfidën e kupës kundër Elbasanit, ka folur edhe për rinovimin me Vllazninë.
“Arsyeja ishte e thjeshtë, pasi Vllaznia është një klub i madh. Nuk kisha dëshirë ta ndërroja me asnjë ekip në Shqipëri, sepse nuk ka ndonjë ekip tjetër që bën diferencën. Vllaznia pavarësisht rezultateve të viteve të fundit, mbetet një klub i madh dhe në çdo moment pritet të rikthehet sërish në nivele të larta. Ky klub ka një tifozëri të madhe. Shkodra është një qytet fantastik dhe unë jam pritur mirë nga ana e stafit drejtues. Të mos harrojmë se një nga arsyet kryesore që më bëri të nënshkruaj edhe për dy vitet e tjera ka qenë ish-administratori Suad Lici, i cili në çdo moment më ka përkrahur dhe ma ka bërë shumë më të lehtë të nënshkruaj pa as më të voglin dyshim. Prandaj jam i kënaqur” – është shprehur Mevlan Adili, i cili me Vllazninë ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2022.
Ndryshe Adili me fanellën e Vllaznisë numëron 21 ndeshje, 17 prej të cilave në Superligën shqiptare. Adili te Vllaznia e Shkodrës u transferua nga rradhët e FC Shkupit, ndërsa gjatë karrierës së tij në Maqedoni gjithashtu kishte luajtur me Shkëndijën, ndërkohë jashtë vendit me Uta Arad dhe Zhalgiris.