Sot do të mësojmë edhe 4 kombëtaret e fundit që do të luajnë në Europianin e vitit të ardhshëm. Janë këto biletat që vijnë përmes rrugëtimit të kombëtareve në edicionin e parë të Ligës së Kombeve.
Ndeshjet në fjalë janë Hungari-Islandë, Irlandë e Veriut-Sllovaki, Serbi-Skoci dhe Gjeorgji-Maqedoni e Veriut.
Sa i përket takimit të fundit, kjo ndeshje është historike për të dyja kombëtaret, kjo pasi një nga këto kombëtare do të shkojë për herë të parë në Europian, ku do të luajë në Grupin D, së bashku me Holandën, Ukrainën dhe Austrinë.
Më e vështirë do të jetë detyra e kush do të kualifikohet nga Hungari-Islandë, që do të bëjë pjesë në Grupin A, atë të ferrit, me Portugalinë, Francën dhe Gjermaninë. Kuriozitet përbën edhe rasti i Sllovakisë, që ka ndryshuar trajnerin vetëm një muaj më parë, pas fitores me penallti ndaj Irlandës: në stolin e Hamshikut me shokë është ulur provizorisht Stefan Trakoviç, i cili do të provojë që të marrë më të mirën ndaj një skuadre si Irlanda e Veriut, që pavarësisht se ka shtatë ndeshje që nuk ndjen aromën e fitores, ia doli gjithsesi të mbërrijë deri në këtë sfidë vendimtare, falë suksesit me penallti kundër Bosnjë Hercegovinës.
Ndeshja më e bukur pritet të jetë ajo mes Serbisë dhe Skocisë. Ballkanasit, falë Mitroviçit dhe Milinkoviç Saviçit, në gjysmëfinale mposhtën Norvegjinë plot me talente premtuese, ndërsa tani, kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj kombëtares britanike, e pamposhtur prej 8 ndeshjesh, diçka që nuk ndodhte prej viteve 1980.
Serbia nuk ka marrë kurrë pjesë në një Kampionat Europian prej shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërkohë që Skocisë i mungon një fazë finale e Europianit që prej Euro 1996 dhe pas suksesit ndaj kombëtares së Izraelit, është vetëm një hap rishkrimit të historisë.