Mbrëmjen e sotme u zhvilluan disa ndeshje miqësore në mbarë Europën. Portugalia e Kristiano Ronaldos regjistroi fitoren më të thellë të mbrëmjes, duke mundur 7:0 Andorrën. Ylli portugez i Juves ndeshjene nisi vetëm nga pjesa e dytë, mirëpo edhe kjo i mjaftoi për të shënuar një gol, me të cilën tashmë është ngjitur një shkallë më lart në listën e golashënuesve më të mirë të historisë së futbollit.
Falë këtij goli Ronaldo arriti në shifrën e 746 golave, duke kaluar në këtë mënyrë dy legjenda që më parë kishin luajtur në La Liga, Ferenc Pushkash dhe Romario.
Tashmë para Ronaldos mbetet vetëm legjenda braziliane, Pele, i cili ka 15 gola më shumë.
Mirëpo nuk është vetëm Ronaldo që ka shënuar mbrëmjen e kaluar. Bashkë me të është edhe ish shoku i tij te Reali i Madridit, Serhio Ramos, i cili në ndeshjen e mbrëmshme që Spanja e tij e zhvilloi kundër Holandës 1:1), regjistroi ndeshjen e tij të 176-të. Në këtë mënyrë mbrojtësi “madrilen” u barazua me legjendën italiane, portierin e Juves, Xhanluixhi Bufon, i cili me Italinë e tij ka arritur të zhvillojë po aq ndeshje.