Shkodran Mustafi mund të largohet nga Arsenali, për t’u transferuar në Bundesligë.
Mesfushori me origjinë nga Gostivari është afër të ndajë rrugët me Arsenal, pas qëndrimit prej katër vitesh e gjysmë.
Ish mbrojtësi i Valencias sipas raporteve nga Gjermania, po kërkohet nga Ajntrahti i Frankfurtit.
Mustafi me “topçinjtë” ka kontratë deri në vitin 2021, ndërsa për të mos e humbur falas verën e ardhshme, Arsenali do të pranonte çfarëdo oferte që do vinte nga drejtuesit e skuadrës gjermane.
Kujtojmë se Mustafi te Arsenal u transferua në vitin 2016 nga rradhët e Valencias, ndërsa gjatë karrierës së tij ai ka luajtur edhe me Evertonin në Angli dhe me Sampdorian në Itali.
Në rast se do realizohej një transferim i këtillë, për Mustafin do të ishte kjo hera e parë që do luante në Bundesligë, kjo pasi ai si i ri kishte luajtur vetëm me grupmoshat e Hamburgut. Kujtojmë Mustafi një periudhë të caktuar kishte qenë edhe pjesë e Kombëtares së Gjermanisë, me të cilën në vitin 2014-të u shpall kampion Bote.
Futbollisti gostivaras për kombëtaren gjermane numëron 20 ndeshje dhe 2 gola të shënuar.