Ndeshja midis Anglisë dhe Islandës, e vlefshme për ndeshjet e Ligës së Kombeve mund të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, transmeton “infOSport.mk”. Një gjë të tillë raporton prestigjiozja britanike “DailyMail”, kjo krejt për shkak pandemisë “Covid 19”.
Islandezët me datë 15 do të përballen me Danimarkën në transfertë, ndërsa e gjithë kjo ka alarmuar autoritetet britanike, të cilët me kufizimet e reja nuk lejojnë hyrjen e gjithë atyre që vijnë nga Danimarka, nën arsyetimin se aty ka filluar të përhapet koronavirusi nga visonët.
Sipas rregullave, ekipit kombëtarë të Islandës do t’i mohohet hyrja në Mbretërinë e Bashkuar, sepse ata luajnë të dielën me Danimarkën në Kopenhagë, që do të thotë se ndeshja e Ligës së Kombeve nuk do të mund të zhvillohet në stadiumin “Uembli”, ashtu siç ishte parashikuar, dhe se e njëjta ka gjasa të zhvillohet në Shqipëri, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Ndeshja midis Anglisë dhe Islandës në program është me datë 18 nëntor, ditë kur mund të shohim këto dy kombëtare të luajnë në kryeqendrën shqiptare, edhe pse si opsion për zhvillimin e këtij takimi nga Federata Angleze e futbollit shohin edhe Gjermaninë.