Ish trajneri i Shkëndijës, Bruno Akrapoviç pas aventurës së suksesshme me skuadrën e Lokomotiv Plovdiv, ka bërë hapin e rradhës në karrierën e tij si trajner, duke arritur marrëveshje me skuadrën e njohur bullgare të CSKA Sofjes, transmeton “infOSport.mk”.
Lajmin për këtë lëvizje Bruno Akrapoviç e kishte konfirmuar edhe për “Sportal.bg”.
“Po, e vërtetë është. Drejtuesit e Lokomotivës janë informuar për këtë vendim timin. Ju kërkojë falje, mirëpo nuk mund të flas më tepër. Nesër do të mësoni më shumë gjëra” – ka thënë Akrapoviç për “Sportal.bg”.
Strategu boshnjak drejtimin e Lokomotiv Plovdivit e morri me 31 teteor të vitit 2017-të, ndërsa brenda kësaj periudhe 53-vjeçari me Lokomotiv Plovdivin arriti që të fitojë dy trofe të Kupës së Bullgarisë, ndërsa gjithashtu kishte fituar edhe SuperKupën e vendit tonë fqinjë.
Akrapoviç skuadrën e Lokomotiv Plovdivit e udhëhoqi në 104 ndeshje, duke arritur 41 fitore, 28 barazime dhe 35 disfata. Ndërkohë skuadrën e Shkëndijës, Bruno Akrapoviç e kishte udhëhequr nga 22 dhjetori i vitit 2015 deri me 27 tetor të vitit 2016, duke qenë në krye të kuqezinjëve në 33 ndeshje.
Ai me skuadrën e Shkëndijës kishte qenë shumë më efikas, duke regjistruar 22 fitore, 4 barazime dhe vetëm 7 disfata.
Tashmë te CSKA Sofje, boshnjakun e pret një punë shumë më e madhe, për të rikthyer këtë skuadër në binarët e duar, pasi në 11 javë kampionat, kjo skuadër renditet në pozitën e 3-të me 21 pikë, pas Lokomotiv Plovdivit të udhëhequr deri më tani nga vetë Bruno Akrapoviç.