Milani po mendon për goditjen e madhe me parametra zero për sezonin e ardhshëm. Mediat në Spanjë raportojnë lajmin e bujshëm për interesimin e “kuqezinjëve” për Serhio Ramosin i cili është në muajt e fundit të kontratës me Real Madridin dhe ende nuk ka vendosur nëse do të rinovojë me “madrilenët”.
‘El Chiringuito’ raporton se kontrata e spanjollit skadon në fund të vitit 2020, e jo në qershor të vitit 2021, andaj Reali do të luftojë me kohën për të arritur një marrëveshje me kapitenin e skuadrës.
Raportohet se Paolo Maldini ka nisur bisedimet e para me yllin e “mbretërve” për ta bindur kapitenin e Realit të zgjedhë Milanin si destinacionin e ardhshëm në karrierën e tij.
Pas Zlatan Ibrahimoviç, kuqezinjtë synojnë një tjetër lojtar me shumë eksperiencë këtë herë në repartin e prapavijës për t’i dhënë një tjetër shtysë edhe lojtarëve të rinj që janë në ekip.
Problem për Milanin mbetet paga e lartë që Ramos përfiton te Real Madridi, plot 17 milionë euro në sezon, por me një kontratë afatgjate edhe ky ngërç delikat mund të zgjidhet.
Serhio Ramos është pjesë e Realit që nga viti 2005. Ai ka bërë 659 paraqitje deri më tani me Realin e Madridit, për të cilën skuadër ka shënuar 100 gola.