Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës U21, Rafet Prekazi ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet e rradhës në kuadër të eliminatoreve për Europianin e vitit të ardhshëm deri 21-vjeç, raporton “infosport.mk”.
Pjesë e kësaj liste janë edhe mbrojtësi i talentuar i Shkëndijës, Leard Sadriu, si dhe kumanovari Valon Hamdiu, që luan në Zvicër me ekipin e Shafhauzen.
Ndeshjen e parë të nëntorit “Dardanët” do ta zhvillojnë kundër Shqipërisë më 13 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërkohë 4 ditë më pas (17 nëntor) ata do të jenë mysafir të Turqisë në Samsun.
Stërvitjen e parë përfaqësuesja U21 e Kosovës do ta ketë të hënën më 9 nëntor, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas me fillim në ora 14:00, kur Prekazi pret që të gjithë futbollistët e ftuar të jenë prezent dhe të fillojnë përgatitjet për dy ndeshjet e fundit në kuadër të grupit 3 eliminatorë.
Kosova pas 8 xhirove të para me 9 pikë renditet në pozitën e katërt, menjëherë pas Shqipërisë, që ka 11 pikë në vendin e tretë, ndërkohë kombëtarja e Turqisë, me 7 pikë mban pozitën e 5-të.
Anglia tashmë e kualifikuar mban pozitën e parë me 22 pikë, ndërsa vendi i dytë, që siguron ndeshjet e balotazhit, aktualisht mbahet nga Austria me 15 pikë.