Krivak paralajmëron tre pikë ndaj Renovës

Shkëndija pas barazimit me Rabotniçkin gjithë vëmendjen e ka kthyer kah derbi lokal kundër Renovës, ndeshje kjo që në program është të shtunën (07 nëntor), njofton “infOSport.mk”.

Futbollistët “kuqezi” po karikohen për të marrë tre pikët e rradhës në kampionat dhe për të mbajtur hapin me FC Shkupin, me te cilën skuadër ndajnë pozitën e parë me nga 22 pikë .

“Në takimin me Renovën besoj të kthehemi te fitorja. Jemi të vetëdijshëm se kemi lëshuar goxha pikë si vendas dhe jemi duke punuar që kjo mos të përsëritet”, – është shprehur mbrojtësi sllovak, Jan Krivak.

Sipas tij çdo pikë ka vlerë kapitale në luftën për titullin kampion dhe “kuqezinjtë” janë duke punuar maksimalisht që të ecin sipas planit dhe objektivave.

“Kampionati është i gjatë dhe është normale që në këtë ‘maratonë’ të ndodhin hapa fals. Ju ndodh të gjithëve, madje edhe klubeve më të forta në botë dhe është e qartë se këtë nuk mund ta shmangim edhe ne. Por dihet se kampion del ai që më pak gabon dhe sa më shumë që minimizojmë gabimet, aq më pranë i afrohemi objektivit. Prandaj duke respektuar çdo rival, fillimisht këtë të rradhës, Renovën, të futemi në fushë të japim më të mirën dhe të ecim brenda planeve dhe synimeve që i kemi vendosur vetes”, – përfundoi Krivak.

Ndeshja Renova-Shkëndija zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në ora 13:30.

 

Leave a Reply