Borusia Menhengladbahu ka shënuar fitoren më të thellë në garat europiane, teksa sonte në ndeshjen e parë të grupit “B” në Ligën e Kampionëve mundi Shakhtar Donetskun me rezultatin 6:0, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra gjermane punën më të madhe në këtë ndeshje e kreu që në pjesën e parë, kur edhe avansoi me shifrat 4:0. Vërtetë një 45 minutësh i parë impresionues nga ana e djemve të trajnerit Marko Rose, që në këtë mënyrë po ju prishin matematikat dy skuadrave gjigande Real Madridit dhe Interit, që pas pak do të përballen njëra kundër tjetrës po në këtë grup.
Ndryshe figurë qendrore te Gladbahu në këtë ndeshje doli të jetë francezi Alasane Plea, që realizoi “hat-trik”, derisa nga një gol shtuan edhe Stindl dhe Bensebaini, teksa Bondar i Shakhtar Donetskut në minutën e 17-të shënoi në rrjetën e gabuar.
Ishte kjo fitorja e parë për Gladbahun në grupin “B”, të cilin e kryeson me 5 pikë, një më shumë se Shakhtari i vendit të dytë, derisa Interi me 2 pikë dhe Reali me 1 renditen në pozitat 3 dhe 4.