Vllaznia e Shkodrës, pjesë e së cilës janë edhe futbollistët nga vendi ynë, Mevlan Adili, Demir Imeri dhe Aleksandar Isaevski, ka shënuar një ndër fitoret më të thella në ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Shqipërisë, njofton “infOSport.mk”. Vllaznia shënoi fitore 7:0 kundër Devollit, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Demir Imeri dhe Aleksandar Isaevski.
Pjesë e kësaj fitore të thellë të skuadrës shkodrane ishte edhe Mevlan Adili, që me mjaft sukses kreu punën e tij në mbrojtje, ndërsa një shou të vërtetë dhuroi sulmuesi boshnjak, Haris Dilaver që realizoi 3 gola, ndërsa përveç Imerit dhe Isaevskit, nga një gol tjetër shtuan edhe Marku dhe Jonuzi.
Kështu Vllaznia me plotë meritë kalon në raundin e dytë të Kupës, ku tashmë ka mësuar edhe emrin e kundërshtarit në kuadër të Grupit “B”. Skuadra shkodrane në këtë fazë do të përballet me Elbasanin, ndërkohë në 3 përballjet tjera të këtij grupi, Kukësi i Agim Ibraimit do të përballet me Besën nga Kavaja, Skënderbeu për kundërshtarë do të ketë Pogradecin, derisa Partizani do të luaj kundër Apolonisë.