Ballkani ka shënuar edhe fitoren e 8-të sezonale nga gjithsej 10 ndeshje të zhvilluara këtë edicion në Superligën e Kosovës, njofton “infOSport.mk”. Viktimë e skuadrës nga Suhareka ishte Besa e Pejës, ndaj së cilës skuadër Ballkani shënoi fitore 4:1.
Sërish në elememt te skuadra e Ismet Munishit, ishte sulmuesi më në formë shqiptarë, Mirlind Daku, i cili shënoi dy golat e parë, duke çuar në 17 numrin e golave të shënuar në 10 xhirot e para.
Daku golin e tij të parë e realizoi në minutën e 27-të nga penaltia, ndërsa vetëm 3 minuta më pas shënoi edhe njëherë tjetër duke bërë që Ballkani në pushim të shkojë me rezultatin 2:0.
Donart Sheqerolli riktheu shpresat e pejanëve me golin e shënuar në minutën e 70-të, mirëpo ishte ky vetëm gol shprese, pasi Meriton Korenica me golin e shënuar në minutën e 80-të dhe Egzon Sinani në të 90-tën, bënë që Ballkani në fund të marrë një fitore të thellë.
Gjilani nuk ka fituar sërish, kësaj rradhe duke barazuar pa gola me Feronikelin. Që të dyja këto skuadra janë rekorder kur janë në pyetje barazimit e këtij edicioni, që të dyja nga 5 barazime në 10 xhiro.
Ndërkohë një fitore me përmbysje ka regjistruar Trepça ’89 në udhëtim te Arbëria nga Lipjani. Vendasit kishin avansuar me golin e Dior Zabërgjas gjatë pjesës së parë, ndërsa në të dytën skuadra mitrovicase shënoi dy herë në rrjetën e Arbërisë me anë të ganezit Nismark Sie dhe talentit Rilind Nimanit, duke regjistruar në këtë mënyrë edhe fitoren e katërt sezonale.
Pas kësaj fitoreje, Trepça ’89 renditet në pozitën e katërt me 14 pikë, 9 më pak se lideri Ballkani, që ndiqet nga Gjilani në pozitën e dytë me 17 pikë.