Veprimi i francezit Karim Benzema në raport me brazilianin, Vinicius, në tunelin e stadiumit në Gladbah gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve, që Reali e zhvillonte kundër skuadrës gjermane të Borusia Menhengladbahut, teksa dëgjohej duke i thënë shokut të tij të skuadrës Ferlan Mendy: “Vëlla, mos luaj me atë, mos i paso. Të betohem në kokën e nënës time, ai po luan kundër nesh”, ka ngjallur jo pak reagime në mediat spanjolle.
Edhe pse tashmë kanë kaluar disa ditë nga ky episod aspak i lakmueshëm, gazetarët nuk kanë mundur pa e ngacmuar trajnerin Zinedin Zidane, gjatë konferencës për shtyp, që trajneri i Realit i ishte dashur të flas për ndeshjen e rradhës në La Liga, kundër Hueskas.
Edhe përkundër faktit se u ngrit shumë pluhur rreth kësaj ngjarjeje, Zidane nuk sheh ndonjë problem me atë që ndodhi.
“Gjëja më e rëndësishme është që ajo situatë është pastruar dhe lojtarët kanë folur”, ka thënë fillimisht Zidane.
“Shumë gjëra thuhen në fushë dhe ato qëndrojnë atje. Ne jemi një ekip dhe na duhet energji për gjëra të tjera. Por, është një gjë e mirë, sepse do të thotë se jemi gjallë. Ata kanë folur dhe kaq” – vijonte Zidane.
Francezi nuk mendon se reputacioni i Benzemës do të dëmtohet nga ajo që u tha, dhe ai është i sigurt se çështja tashmë i përket të kaluarës.
“Nuk mendoj se do të dëmtojë imazhin e Benzemës. Gjithmonë ndodh. Sot ka shumë kamera, por gjithnjë ka ndodhur”.
“Nuk ka asnjë problem. Energjia jonë përqendrohet te e nesërmja. Shumë gjëra thuhen në fushë; për të tjerët dhe gjithashtu për mua”, – ka përfunduar Zidane.