Liga Profesioniste zhvilloi sot një mbledhje me përfaqësuesit e 10 ekipeve të Superiores, teksa u vendos t’i jepet fund bojkotit. Në takimin e sotëm u ra dakord që Kategoria Superiore të fillojë ditën e mërkurë, 4 nëntor.
Është vendosur që futbolli për skuadrat e Superiores të fillojë ditën e diel, me ndeshjet e Kupës, ndërsa ditën e mërkurë do të startojë kampionati i Kategorisë Superiore.
Pas reagimit të deputetit Fidel Ylli, i cili ishte negociator i qeverisë, ku shprehej se 4 kërkesat e klubeve janë në tryezën e kryeministrit dhe futbolli duhej të fillojë, ditën e sotme Liga Profesioniste ka bërë një mbledhje me klubet e Superiores, ku u mor dhe vendimi i shumëpritur.
Në këtë mënyrë skuadrat i kanë dhënë fund bojkotit, me kampionatin që duhet të startonte më 12 shtator, por me skuadrat që vendosën të mos zbresin në fushë nëse nuk plotësoheshin 4 kërkesat.