Zekirija Ramadani ka përjetuar zhgënjimin e radhës me FC Prishtinën, derisa pësuan në derbin e xhiros së nëntë përballë Ballkanit në udhëtim (2:1). Skuadra e strategut shkupjan u përmbys në minutat e fundit të ndeshjes, teksa për këtë Ramadani ka një shpjegim.
“Një dekoncentrim në fazën defanzive na kushtoi shumë. Pasi pranuam golin e parë u munduam të dalim përpara dhe të gjejmë sërish golin e dytë, madje duke e inkuadruar në lojë edhe një sulmues, mirëpo e pësuam edhe golin e dytë. Pavarësisht disfatës unë i gëzoj futbollistët për angazhimin, pasi që sot treguan një disiplinë të madhe taktike në fushën e lojës. Jemi dominant ndaj kundërshtarëve, por ka diçka që nuk po shkon. Fati si duket na ka kthyer shpinën”, – është shprehur Zekirja Ramadani pas përfundimit të ndeshjes në Suharekë.
Prishtina mbetet në pozitën e katërt të renditjes tabelare me vetëm 11 pikë nga 9 xhirot e para, derisa Ballkani me dyfishin e pikëve kryeson renditjen në Superligën e Kosovës, para Dritës së Ardian Nuhiut që ka 16 pikë dhe dy ndeshje më pak.