Dy skuadrat nga Gostivari, KF Gostivari dhe Vardari i Forinës ndodhen në krizë të madhe financiare, ndërsa më së miri për këtë flasin edhe ikjet e futbollistëve nga këto dy skuadra, njofton “infOSport.mk”.
Edhe përkundër startit të mirë, ndryshimet e fundit në kryesi, por edhe në stafin e trajnerëve, sollën shumë probleme te KF Gostivari, që pas ikjes së portierit Marko Jovanovski, nga kjo skuadër dje edhe zyrtarisht u largua edhe Enis Dervishi.
Situatë edhe më e rëndë po mbizotëron te Vardari i Forinës, nga e cila skuadër tashmë janë larguar portieri Amir Jashar, dy kumanovarët Ylber Alili dhe Egzon Aziri, si dhe sulmuesi shkupjan, Emir Aliu.
Që të tre akuzojnë drejtuesit e skuadrës për mos shlyerje të borxheve, ndërsa nëse vazhdon kjo politikë e drejtuesve të skuadrës nga Forina, me shumë gjasa kësaj treshe pritet të ju bashkohen edhe shumë futbollistë të tjerë.
Pas 9 xhirove të para Gostivari kryeson renditjen me 20 pikë, ndërkohë Vardari i Forinës me 11 pikë mban pozitën e 8-të në renditje.