Në mes të një përplasje diplomatike midis Francës dhe Turqisë, një ndeshje e Ligës së Kampionëve do të sjellë së bashku sonte dy skuadra nga këto dy vende. Nga njëra anë Bashaksehir Istanbulspor, që konsiderohet edhe si klubi i presidentit turk, dhe nga ana tjetër PSZH-ja, skuadër franceze, por që është në pronësi të Emirit të Katarit, një aleat i palëkundur i Turqisë.
Takimi në fjalë do të zhvillohet me dyer të mbyllura, por shpirtrat në fushën e blertë do të jenë të nxehur.
Rastësia e kalendarit të futbollit donte që Paris Sen Zhermeni takohej me Bashakshehir Istanbulspor pikërisht në momentet kur jemi dëshmitarë të një lufe diplomatike Franko-Turke.
Rrallë herë një ndeshje e këtillë mbart një ngarkesë të tillë politike dhe emocionale. Tashmë për disa ditë presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, është shfryrë ndaj presidentit të Francës, Emanuel Makron, duke thënë se ai ka nevojë për trajtim mendor për shkak të komenteve të tij në mbrojtje të mësimdhënësit që u vra nga një adoleshent për shfaqjen e karikaturave të profetit Muhammed.
Madje Rexhep Taip Erdogan u bë lideri i parë dhe i vetëm deri në këto momente që thirri për bojkot të produkteve franceze.
Prandaj sonte tensionet pritet të jenë deri në kulm në takimin që do të zhvillohet në Stamboll, edhe pse dallimi në cilësi mes këtyre dy skuadrave nuk i lë shumë imagjinatës për rezultatin përfundimtar.
PSZH shihet si favorit absolut ndaj Bashkakshehir, dy skuadra këto që në ndeshjet e para të grupit “H” kishin pësuar disfata. PSZH-ja ishte mundur në shtëpi nga Mançester Junajtedi (1:2), ndërkohë Bashakshehiri kishte pësuar në transfertën ndaj Lajpcigut (0:2).
Ndeshja Bashakshehir – PSZh, e vlefshme për xhiron e dytë në grupet e Ligës së Kampionëve, starton në ora 18:55.