Futbollisti shqiptarë me origjinë nga Gostivari, Shkodran Mustafi, në fund të sezonit aktual me shumë gjasa do të largohet nga Arsenali. Pikërisht verën e vitit të ardhshëm Mustafit i skadon kontrata me “topçinjtë”, dhe i njëjti nuk ka ndërmend ta vazhdojë të njëjtën.
Një gjë të tillë kanë paralajmëruar mediat angleze, sipas të cilave Mustafi ka refuzuar ofertën e Arsenalit për kontratën e re duke paralajmëruar klubin se do të largohet verën tjetër si futbollist i lirë.
Mësohet se Arsenali i kishte ofruar Mustafit kontratë të re trevjeçare, por ai është i vendosur që edicionin e ardhshëm të jetë pjesë e ndonjë ekipi tjetër.
“Shkodran Mustafi dëshiron që karrierën ta vazhdojë diku tjetër. Ai së fundi ka refuzuar kontratën e re të klubit, duke paralajmëruar se do të largohet në fund të sezonit si lojtar i lirë”, – ka shkruar “The Sun”.
Mustafi këtë edicion ka vetëm një paraqitje tek Arsenali. Të dielën u kthye nga lëndimi që e mbajti për disa muaj jashtë fushës.
Ai është pjesë e Arsenalit që nga viti 2016 kur u transferua nga Valencia për 41 milionë euro. Së fundmi, Mustafi kërkohej nga dy skuadrat e njohura italiane, Lacio dhe Napoli.