Futsal Club Arben Bajrami ka bërë një super debutim në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”. Skuadra shkupjane në ndeshjen e parë të sezonit të ri 2020/2021, mundi ekipin e Kegi Mobi në Veles, me rezultatin e thellë 5:0.
Ishte kjo një ndeshje mes dy skuadrave që këtë edicion për herë të parë u inkuadruan në mesin e më të mirëve në futsalin vendor.
Edhe pse në rolin e mysafirit, lojtarët e Futsal Club Arben Bajrami, në asnjë moment nuk e vunë në pikëpyetje fitoren, të cilën e paralajmëroi Pajtim Rexhepi.
Pas këtij goli gjithçka shkoi sipas planit për të besuarit e trajnerit Gazmend Hiseni, të cilët shtuan edhe 4 gola të tjerë. Eroll Dalip shënoi “dopietën” e parë në ndeshje zyrtare me Arben Bajramin, pas transferimit nga rradhët e Futsal Shkupit, ndërsa nga një gol tjetër shtuan edhe ish lojtarët e Juventus Seravës, Haris Omeroviq dhe Jakup Ramadani.
Kujtojmë me po të njëjtin rezultat Futsal Shkupi mundi Karadakun në Kumanovë, ndërkohë Juventus Serava ishte mundur 11:4 nga KMF Proekt Ciko, ndaj së cilës skuadër shkëlqeu talenti 20-vjeçar Furkan Shabani, i cili realizoi dy gola.