Një tjetër lojtar shqiptar zgjedh Greqinë. Bëhet fjalë për mbrojtësin 23-vjeçar, Lazaros Rrota. I lindur në shtetin helen në vitin 1997 dhe i formuar si lojtar në akademinë e Iraklisit, Rrota është grumbulluar së fundmi nga Kombëtarja e Greqisë, duke qenë pjesë e ekipit për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Moldavisë dhe Kosovës.
Ai debutoi me fanellën greke në fitoren 2:0 ndaj Moldavisë më 11 tetor, duke luajtur 22 minuta.
Mbrojtësi i djathtë luan sezonin e tij të dytë në kampionatin holandez me Fortuna Sitard. Fillimisht për dy vite ishte aktivizuar në Sllovaki me skuadra si Slavoj Trebishov dhe Zemplin Mihalovce, nga e cila skuadër janarin e këtij viti u transferua te skuadra holandeze e Fortuna Sitard, me të cilën deri më tani ka luajtur 11 ndeshje, 9 prej të cilave si titullar.
“Panorama Sport” mëson se Rrota i është sugjeruar disa muaj më parë FSHF-së përmes menaxherit të tij, Bruno Çirilo, një ish-lojtar i Interit që është aktivizuar edhe në Greqi me AEK-un dhe PAOK- un.
Mirëpo, drejtoria e ekipeve kombëtare nuk shfaqi interes për lojtarin shqiptar dhe kësisoj Rrota shfrytëzoi mundësinë pas thirrjes që i bëri trajneri i Greqisë, Xhon Vant Ship.
Ky i fundit është holandez dhe duke njohur mirë “Erdivise”, ndoqi disa herë Rrotën dhe u bind për ta grumbulluar. Aktivizimi i 23- vjeçarit me Greqinë në ndeshjen ndaj Moldavisë ia djeg tashmë mundësinë e një bashkimi me Shqipërinë në të ardhmen.