Trajneri Zekirija Ramadani, shkupjani që këtë vit morri besimin e drejtuesve të Prishtinës, për të udhëhequr një ndër skuadrat më të famshme kosovare, edhe përkundër startit jo të mirë, ka besim se do ta fitoj titullin e kampionit në edicionin 2020/2021. Ish trajneri i Trepça ’89 dhe Feronikelit në Kosovës, është i mendimit se Prishtina ka skuadër për titull.
“Nëse nuk do të besoja për titull, nuk do të isha trajner i Prishtinës. Njëjtë besoj se kanë menduar edhe krerët e klubit. Mendoj se kemi kualitet, ka disiplinë dhe kushte të mira. Unë jam i bindur se gjithë jemi të mërzitur, por mund t’i rikuperojmë pikët e humbura”, – ka thënë Ramadani në emisionin sportiv “Sporti Total” në KTV.
Prishtina të dielën pësoi një disfatë të rëndë në shtëpi nga Gjilani (0:2), duke humbur mundësinë që të ngjitet në pozitën e dytë, menjëherë pas Ballkanit, skuadër kjo që tashmë ka 8 pikë më shumë se skuadra e Zekirja Ramadanit, që me 11 pikë aktualisht mban pozitën e katërt në Superligën e Kosovës.