Barazim spektakolar në “San Siro” midis Milanit dhe Romës, me protagonist sërish futbollistin e kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, shkruan “infOSport.mk”.
Pas golit debutues në Liga Europa mesjavën e shkuar, futbollisti “kuqezi” shënoi golin debutues edhe në “Serie A”, edhe atë pikërisht kundër liderit aktual, Milanit.
Kumbulla shënoi golin e tretë për Romën në barazimin 3:3, duke i siguruar një pikë skuadrës së tij nga kjo transfertë e nxehtë.
Ndryshe ndeshja nisi mirë për “rossonerët” që avansuan me golin e Zlatan Ibrahimoviç vetëm pas dy minutave lojë, ndërsa një gafë e portierit të dytë të Milanit, Tatarushanu në minutën e 14-të, i mundësoi kapitenit të “romakëve”, Edin Xheko për të barazuar shifrat në 1:1.
Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa ashtu si nisi pjesa e parë, nisi edhe e dyta, me një gol të shënuar që në minutën e dytë, kësaj rradhe me autorë Saelemaekers. Mysafirët nga “Olimpiko” u kundërpërgjigjën sërish, kësaj rradhe me anë të francezit Veretout, i cili doli të jetë i saktë nga pika e bardhë në minutëne 71-të, për rezultat 2:2.
Milani falë Ibrahimoviç avansoi sërish, falë golit nga pika e bardhë në minutën e 79-të, ndërsa 5 minuta më vonë Marash Kumbulla doli të shënojë golin e fundit të këtij takimi, duke i dhuruar një pikë skuadrës së Romës, që mund të mburret se është skuadra e parë që i merr Milanit pikë këtë edicion.
Skuadra e Stefano Piolit mbetet në krye të tabelës së klasifikimit, tashmë me 13 pikë, dy më shumë se Napoli dhe Sasuolo, që kanë nga 11 pikë në pozitat dy dhe tre. Ndërkohë Roma e Marash Kumbullës me 8 pikë mban pozitën e 9-të në renditje.