Liverpulli ka shënuar fitore me përmbysje përballë Shefilld Junajtedit në ndeshjen e vlefshme të javës së 6-të në Premierligë, njofton “infOSport.mk”.
Miqtë gjetën të parët golin në minutën e 13-të. Penallti e akorduar me anë të VAR-it dhe topi në rrjetë pas goditjes së saktë të mesfushorit Sander Berge.
Liverpulli barazoi shifrat 4 minuta para fundit të pjesës së parë, ndërsa falë golit të sulmuesit Diogo Jota në minutën e 64-të, skuadra e Klop arriti deri tek fitorja. Një minutë para golit të portugezit Jota, VAR i anuloi golin Mohamed Sallah, i cili ndodhej në pozitë jashtë loje.
“LIGUE 1 (Francë) – Paris Sen Zhermeni reagoi pas humbjes shtëpiake me Mançester Junajtedin në Ligën e Kampionëve, duke mundur ekipin e Dizhon, aty ku luan edhe reprezentuesi i Kosovës, Bersant Celina.
Ky i fundit në lojë u inkuadrua në minutën e 70-të, mirëpo duke mos mundur të ndryshojë diçka në lojën e skuadrës së tij.
PSZH shënoi fitore 4:0, me nga dy gola të shënuar në secilën pjesë nga Moise Kean (2’, 22’) dhe Kylian Mbape (81’, 87’).
Për italianin Kean ishin këto golat e parë në Ligue 1, pasi këtë verë iu bashkua Paris Sen Zhermenit.
La Liga (Spanjë) – Detyrën në shtëpi me mjaft sukses e kreu edhe Atletiko Madridi, që mundi Betisin me rezultatin 2:0 në ndeshjen e vlefshme të javës së 6-të.
Që të dy golat të besuarit e Diego Simeones i realizuan gjatë pjesës së dytë, edhe atë në minutën e parë (46’) me anë të Markos Ljorente dhe në minutën e 91-të, me anë të Luis Suarez. Vlen të theksohet se mysafirët nga Sevilja ndeshjen e mbyllën me 10 futbollistë, pas përjashtimit me të kuq të Martin Montoja në minutën e 74-të.