Struga Trim Lum ishte shumë e pafat në takimin e sotëm në udhëtim te Pelisteri, kjo pasi të përzgjedhurit e trajnerit Srgjan Zaharievski pësuan gol në çastet e fundit të takimit, edhe pse kishin avantazh prej 1:0 dhe ishin dukshëm kundërshtarë më i mirë se skuadra vendase, shkruan “infOSport.mk”.
Nijas Lena me një predhë të vërtetë në minutën e 77-të paralajmëroi fitoren e Struga Trim Lum, skuadër kjo që në minutën e 69-të kishte shënuar një gol tjetër përmes Lenës, mirëpo i njëjti ishte anuluar me preteks, se numri 10-të i skuadrës strugane kishte fauluar mbrojtësin Darko Ilieski.
Vërtetë një vendim diskutabil i arbitrëve të këtij takimi, të cilët sipas drejtuesve të Struga Trim Lum e kishte dëmtuar edhe në dy raste tjera.
Fillimisht kur njëri prej futbollistëve të tyre ishte ndalur në mënyrë të palejuar brenda zonës (shih foton më poshtë), ndërsa arbitri kishte treguar vetëm goditje dënimi jashtë zonës së rreptësisë.
Rasti i tretë diskutabil dhe që ka dëmtuar drejtëpërdrejtë skuadrën e Struga Trim Lum, drejtuesit e kësaj skuadre e kanë potencuar atë të sekondave të fundit, kur thjeshtë ju anulohet goli i pastërt, pasi nga xhirimi i ngadalësuar shihet se nuk ka të bëjë me pozitë jashtëloje.
Pas përfundimit të ndeshjes në Manastir, për “gol.mk” kishte folur edhe trajneri Srgjan Zaharievski, sipas të cilit ka ardhur koha që edhe në futbollin tonë vendor të mendohet për teknologjinë VAR.
Sipas tij Struga Trim Lum këtë edicion është dëmtuar në disa ndeshje, ndërsa me aplikimin e sistemit VAR, skuadra e tij me siguri do të ishte disa pozita më lartë.
“Nuk është kjo hera e parë ti humbasim pikët në minutën e fundit. Një gjë e tillë po na ndodh tashmë në tre ndeshje. Ne në çdo ndeshje luajmë për fitore, gjithkund luajmë 90-të minuta. Sinqerisht dua ti shoh rastet diskutabile, që sot i kishte me shumicë. Nëse dëshmohet ashtu siç pretendojmë neve, mendoj se tabela e klasifikimit do të ndryshonte në mënyrë drastike. Është koha që të ndërmerret diçka, ndoshta edhe VAR teknologjia? Kështu futbollil unë nuk shkon askund” – është shprehur trajneri i Struga Trim Lum, Srgjan Zaharievski.
Struga Trim Lum pas 10 xhirove të para renditet në pozitën e 5-të me 15 pikë. Kundërshtarë i rradhës i struganëve do të jetë Vardari, ndeshje kjo që në program është me datë 1 nëntor.