Reali i Madridit i ka mbajtur leksion Barcelonës në “El Clasicon” e parë të këtij sezoni, duke e mundur midis “Kamp Nou” me rezultatin 3:1, njofton “infOSport.mk”.
Që në fillim ndeshja nisi me spektakël, teksa skuadra e Zidanit kaloi në avantazh me anë të Valverdes vetëm pas 5 minutave lojë.
Megjithatë kundërpërgjigjja erdhi shumë shpejtë nga ana e “katalunasve”, që në minutuën e 8-të barazuan me anë të Ansu Fati.
Edhe pas këtyre dy golave, të dyja skuadrat nuk ndaluan duke krijuar raste, por asnjëra nuk ia doli të shënojë golin e avantazhit në pjesën e parë.
Megjithatë në pjesën e dytë ishte Reali që i shfrytëzoi në maksimum rastet, teksa në minutën e 63-të përmes një penalti të ekzekutuar saktë nga Serhio Ramos kaloi sërish në epërsi.
Ky gol duket se i tronditi “katalunasit”, të cilët dukeshin të pafuqishëm për të reaguar, ndërkohë për të hipotekuar fitoren e “madrilenëve”, mendoi Luka Modriç, i cili pas një aksioni të ndërtuar vetë, ia doli të shënojë në minutën e 91-të.
Me këtë fitore Reali shkon në kuotën e 13 pikëve dhe renditet në vendin e parë, ndërsa Barcelona mbetet në kuotën e 7 pikëve, duke u pozicionuar vetëm në vendin e 10-të.