Drita e Ardian Nuhiut shumë shpejtë ka harruar disfatën e fundit ndaj Ballkanit, duke reaguar me poker golash në përballjen ndaj Drenicës, në të cilën ndeshje skuadra gjilanase shënoi fitore 4:1, njofton “infOSport.mk”.
Bujar Shabani paralajmëroi fitoren e Dritës qysh në minutën e dytë, derisa gjatë pjesës së parë Hamdi Namani (20’) dhe Kastriot Rexha (44’) bënë që të kuptohet se Drenica nuk ka se çfarë kërkon në këtë ndeshje.
Baton Zabërgja i inkuadruar në pjesën e dytë realizoi golin e nderit për mysafirët vetëm pas 3 minutave lojë në pjesën e dytë, derisa rezultatin përfundimtarë, Drita 4, Drenica 1, e vendosi Betim Haxhimusa në minutën e 79-të.
NDESHJET E TJERA – Llapi më në fund ka shënuar fitoren e parë, edhe atë vetëm në kuadër të javës së 8-të, duke mundur skuadrën surprizë të këtij edicioni, Arbërinë. Skuadra e Tahir Batatinas shënoi fitore 2:0 falë golave të shënuar nga Mentor Zhdrella (12’) nga pika e bardhë dhe Ajmed Januzait në minutën e 48-të.
Ndërkohë vazhdon të mos fitojë Feronikeli edhe me Klodian Duron në krye. Skuadra nga Drenasi sot barazoi 1:1 përballë Besës në Pejë, edhe atë falë një goli të shënuar nga malazezi Miliçkoviç në minutën e 71-të, teksa skuadra vendase kishte avansuar me golin e Brrutit në minutën e 58-të.