Atalanta e Gjimshitit zhgënjen sërish, mundet në shtëpi nga Sampdoria (VIDEO)

Atalanta shkëlqeu në Ligën e Kampionëve, por jo edhe në “Serie A”, aty ku pësoi edhe disfatën e dytë rradhazi. Pas disfatës në fundjavën e kaluar ndaj Napolit me rezultatin 4:1, ditën e sotme, të besuarit e trajnerit Gasperini pësuan disfatë nga Sampdoria në shtëpinë e tyre me rezultatin 1:3, njofton “infOSport.mk”.

Sampdoria shfrytëzoi edhe startin e mirë të sfidës teksa në minutën e 13-të gjeti rrugën e rrjetës me anë të veteranit, Fabio Kualjarela. Ky i fundit në minutën e fundit të pjesës së parë mund të shënonte edhe golin e dytë, mirëpo huçi penaltinë e akorduar nga ana e arbitrit Kalvareze.

Gjithsesi, në fraksionin e dytë miqtë e shënuan golin e dytë, këtë herë me autor Torsbi. Shpresat e “bergamasve” i riktheu David Zapata me golin e shënuar 10 minuta para fundit të takimit, kur doli të jetë i saktë nga pika e bardhë, por dëshira e madhe e “zikaltërve” nga Bergamo për të dalë me një pikë nga kjo përballje , bëri që ekuilibrat në fushë të harroheshin dhe në këtë formë u ndëshkuan me golin e tretë falë një kundërsulmi të finalizuar nga ana e Jankto.

Në fund fitore 3:1 e Sampdorias, që realizoi fitoren e tretë në kampionat, që i mundësoi skuadrës nga Xhenoa për tu barazuar me Atalantan, të dyja skuadrat me nga 9 pikë, mirëpo me skuadrën e Berat Gjimshitit që për shkak gol-averazhit më të mirë mbanë pozitën e 3-të në renditje.

 

Leave a Reply