Ashraf Hakimi ishte mungesa e madhe e Interit të mërkurën në mbrëmje, në ndeshjen e parë në grupet e Ligës së Kampionëve kundër Borusia Menhengladbahut, pasi mbrojtësi maroken kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.
Konte e kishte planifikuar titullar anësorin, por vetëm 5 orë para ndeshjes u njoftua se nga testet e kryera nga UEFA, i njëjti kishte rezultuar pozitiv dhe se nuk mund të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen ndaj gjermanëve.
Hakimi u vendos menjëherë në izolim dhe dje iu nënshtrua një tjetër testi, ndërsa pak minuta më parë Interi njoftoi se përgjigja e tamponit të marokenit ka qenë negative, çka do të thotë se ai nuk është i infektuar.
Po sot Hakimi do t’i nënshtrohet një testi tjetër, për të marrë një konfirmim final, por duket se në rastin e të mërkurës në Ligën e Kampionëve, rezultati ka qenë i gabuar dhe nëse marokeni do të rezultojë sërish negativ, mund të udhëtojë me skuadrën drejt Xhenoas, për sfidën e planifikuar nesër në orën 18:00 në kuadër të javës së 5-të në “Serie A”.