Milani e ka nisur me këmbë të mbarë edhe edicionin e ri në Liga Europa, teksa sonte shënoi fitore 3:1 në transfertën ndaj Selltikut, në një nga ndeshjet më interesante të javës së parë në kompeticionine dytë më të rëndësishëm europian në nivel klubesh, njofton “infOSport.mk”.
Të besuarit e trajnerit Stefano Pioli tashmë nuk dinë për disfatë në plotë 25 ndeshje, ndërsa formën e mirë e dëshmuan edhe sonte në Skoci kundër skuarës së Albion Ajetit.
Milani gjeti golin e avantazhit në minutën e 14-të, kur harkimin e Kastijehos në zonën kundërshtare, më së miri e shfrytëzoi kroati Kruniq, i cili shënoi për 1:0. Pak para fundit të pjesës së parë mysafirët nga Milano iu gëzuan edhe golit të dytë, që këtë herë erdhi nga Braim Diaz.
Selltiku në pjesën më të madhe të pjesës së dytë kishte topin në posedim dhe kërkonte në vazhdimësi golin, që e gjeti përmes Eljonusi në minutën e 76-të, derisa përforcimi i fundit i Milanit, Hauge në minutat shtesë të takimit shënoi golin e tretë për “rossonerët”,
Në po të njëjtin grup, grupin “H”, skuadra franeze e Lille, ishte edhe më bindëse, duke mundur në transfertë Sparta Pragën (1:4).
Një gol-shou të vërtetë pati në “El Madrigal”, aty ku Viljareali në kuadër të grupit “I” mundi ekipin turk të Sivasporit me rezultatin 5:3, ndërsa në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Makabi Tel Aviv minimalisht 1:0 mundi Karabagun.
Me barazime u mbyllën edhe dy ndeshjet e grupit “K”, Dinamo Zagreb – Fejenord (0:0) dhe CSKA Moska – Volfsberger (1:1), ndërkohë fitore të pastërta realizuan edhe dy skuadrat angleze, Leçester Siti dhe Totenhami.
Skuadra e Hoze Murinjos në grupin “J” mundi ekipin austriak të LASK me rezultatin 3:0, ndërkohë me po të njëjtin rezultat, Leçesteri mundi ukrainasit e Zorya.