Prishtina sot ka shënuar një fitore të madhe në transfertën në Drenas ndaj Feronikelit në kuadër të javës së 7-të në elitën e futbollit kosovar, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra nga kryeqendra kosovare që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani, shënoi fitore 2:1, ndërsa deri tek fitorja erdhi falë një goli të shënuar nga Endrit Krasniqi, i cili doli të jetë i saktë nga pika e bardhë në minutën e 85-të.
Pas përfundimit të ndeshjes u prononcua edhe trajneri Ramadani, i cili për faqen zyrtare të klubit, tha: “Ishte derbi, si para dhe gjatë ndeshjes. Dy ekipet dhanë maksimumin. I uroj futbollistët për fitoren e cila gjithsesi ishte shumë e mundimshme, mirëpo tre pikë shumë të rëndësishme për rritjen e vetëbesimit në ekip dhe për ta vërtetuar që ato dy javë që i patëm pauzë, kemi punuar dhe kemi përmirësuar shumë gjëra. Secili nga futbollistët sot dha maksimumin dhe tani me këmbë në tokë të marrim ndeshjen e radhës në fundjavë”.
Prishtina pas 7 xhirove të para, ku ka edhe një ndeshje më pak, renditet në pozitën e dytë me 11 pikë, 8 më pak se lideri aktual, Ballkani.
Në fundjavë Prishtina do të zhvillojë edhe një derbi tjetër, këtë herë kundër skuadrës së Gjilanit.