
Flitet shumë rreth racizmit, por fatkeqësisht fenomeni i shëmtuar vazhdon të jetë në shoqërinë tonë. Rasti më i fundit vjen nga Gjermania, konkretisht në ndeshjen mes ekipeve të moshave të Shalke 04 dhe Borusia Dortmund.
Sfida përfundoi me fitoren e “verdhezinjëve” me rezultatin 2:3 dhe tashmë ata janë në krye të renditjes, por ndeshja u sfumua nga komentet e tifozëve në stadium. “Viktima” është ylli i ri i Dortmundit, Jusufa Mukoko (Youssoufa Moukoko).
15-vjeçari shënoi gol në këtë sfidë dhe mënjëherë pasi arriti ta dërgonte topin në rrjetë, tifozët vendas filluan me ofendimet ndaj tij.
“Shko në dreq ti gjë e zezë”, “shko shtrihu në varrin tënd” apo “do t’i thyejmë kockat”, ishin disa nga thirrjet ndaj kamerunasit.
Një sjellje aspak e hijshme kjo, pasi bëhet fjalë edhe për një minoren. Tashmë pritet reagimi i Federatës Gjermane të Futbollit nëse do të ketë një dënim ndaj klubit. Ndërkohë Mukoko po shkëlqen me ekipin U-19 të Dortmundit, madje ekipi i parë e ka përfshirë atë dhe në listën B të Ligës së Kampionëve.