Sileksi dhe Rabotniçki kanë zhvilluar ndeshjen më efikase të javës së 9-të, teksa në Kratovë kjo përballje u mbyll me 7 gola të shënuar dhe fitore të skuadrës vendase 4:3, njofton “infOSport.mk”.
Pjesa e parë nuk paralajmëroi një goleadë të këtillë, pasi u realizua vetëm një gol, edhe atë nga penaltia. Pas disa rasteve të lëshuara nga ana e skuadrës vendase, të cilët kishin qëlluar edhe traverzën, në minutën e 29-të Ivanovski përfitoi një penalti, të cilën në gol e shndërroi vetë ai për rezultat 1:0.
Pjesa e dytë nisi me dyfishimin e rezultatit nga ana e vendasve. Serbi Gjuriq me kokë tentoi të shënojë, por Jankov intervenoi për një çast, duke i mundësuar në anën tjetër Dejan Ristovit të shënojë në rrjetën e zbrazët për 2:0.
Nuk vonoi shumë dhe 3 minuta më vonë Milosh Tosheski me kokë shënoi golin e parë për Rabotniçkin në këtë ndeshje, ndërsa në minutën e 74-të rezervisti Luka Çumiç duke përfituar nga një tollovi para 5-metërshit të portierit vendas arriti që të barazojë shifrat në 2:2.
Epërsinë e vendasve e riktheu sërish Ivan Ivanovski dhe sërish duke shënuar nga penaltia, kësaj rradhe në minutën e 78-të.
5 minuta më pas edhe “romantikët” përfituan një penalti, të cilën në gol e shndërroi mesfushori Stefan Jevtovski, i cili në ato momente barazoi shifrat në 3:3. Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar, pasi vendasit falë Burhan Mustafov në minutën e 94-të shënuan golin e katërt që në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e Sileksit, pavarësisht pakënaqësive të skuadrës mike, që protestonte ndaj penaltive të akorduara në favor të nikoqirëve, transmeton “infOSport.mk”.
Falë kësaj fitore, Sileksi ndërpreu serinë prej 5 ndeshjeve pa fitore, me ç’rast kjo skuadër u rikthye në pozitën e 5-të me 14 pikë, po aq sa ka edhe Struga Trim Lum në pozitën e 6-të, ndërkohë Rabotniçki me vetëm 11 pikë të tubuara renditet në pozitën e 7-të.