Derbi i javës së 9-të në elitën e futbollit malazez midis Buduçnostit dhe Zetas, nuk ka pritur fundin, pasi futbollstët miq braktisën fushën e blertë. Kjo ndodhi 10 minuta para përfundimit të sfidës, për shkak se arbitri Nikolu Dabanovica u dha tre kartonë të kuq rivalëve të skuadrës së drejtuar nga Mladen Milinkovic, i cili në të kaluarën kishte drejtuar edhe dy skuadrat shqiptare, Luftëtarin dhe Kukësin.
Për të mos mjaftuar kjo, ka akuza edhe për racizëm. Kamerunasi i Zeta-s, Alfonse Soppo, i cili luan prej pesë vitesh në Mal të Zi, akuzon rëndë arbitrin e ndeshjes. Ai pretendon se në momentin e akordimit të penaltisë e ka ofenduar atë.
“Kur u dha penalltia për Buduçnost, unë isha afër gjyqtarit dhe i thashë: “Kjo nuk është penallti, nuk mund të jetë, nuk ka asnjë faull. Ai më tha: ‘Ik andej, i zi’. Unë e di gjuhën malazeze, kuptoj gjithçka… Simoviç erdhi të më mbronte dhe u përjashtua.
Nuk e di çfarë ka gjyqtari Dabanovi kundër meje. Ai gjithmonë reagon çuditshëm kur bëhet fjalë për mua, por këtë herë e ka tejkaluar çdo masë. Nuk mund të heshtja më. Kjo po më ndodh për herë të dytë. Nuk e mbaj mend emrin e gjyqtarit që e ka bërë më parë. Nuk mund të them nëse ata janë racistë, por kjo është mungesë respekti. Kam ardhur nga Kameruni për të luajtur në Malin e Zi dhe më së paku pres të respektohem. Nëse diçka e tillë do të ndodhte në Francë ose në Angli, do të ishte një skandal i madh”, – është shprehur për “Vijesti” 35-vjeçari.