Sunaj Hasan i shënon Ballkanit, por Mirlind Daku sërish bënë ligjin në Kosovë

Arbëria dhe Ballkani sot kanë hapur siparin e javës së 6-të në elitën e futbollit kosovar, njofton “infOSport.mk”. Edhe pse vendasit tentuan të befasojnë liderin aktual në Superligën e Kosovës, megjithatë nuk i’a arritën qëllimit, edhe pse pjesën e parë e mbyllën në favorin e tyre.

Ishte pikërisht sulmuesi shkupjan, Sunaj Hasan që paralajmëroi befasinë me golin e shënuar në minutën e 35-të, mirëpo që gjërat morrën kahje krejtësisht tjetër në pjesën e dytë, aty ku Ballkani pati fjalën kryesore bashkë me Mirlind Dakun, i cili nuk ndalet së shënuari.

Anëtari i përfaqësueses U21 të Kosovës në minutën e 52-të solli simetri në rezultat, duke paralajmëruar kthesën, por që vendasit sërish u treguan një kockë e vështirë, pasi me anë të Almir Kryeziut në minutën e 64-të kaluan sërish në epërsi.

Mirëpo këtu ishte edhe fundi i shfaqjes nga ana e futbollistëve të Arbërisë, pasi pjesa tjetër i takoi Ballkanit, që në 20 minutat e fundit të takimit arriti që të shënojë 3 gola në rrjetën e vendasve.

Ishte mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, ai i cili në minutën e 72-të përfitoi nga një pasim i Mevlan Zekës dhe realizoi për rezultatin 2:2, teksa Mirlind Daku edhe njëherë tjetër u shfaq në skenë, kësaj rradhe në minutën e 83-të, kur shënoi nga pika e bardhë për rezultat 2:3.

Rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Arbëria 2, Ballkani 4, e vendosi Ermal Krasniqi në minutën e 96-të, transmeton “infOSport.mk”.

Ishte kjo fitorja e 5-të për të besuarit e Ismet Munishit në 6 javë kampionat, me ç’rast Ballkani i tij vazhdon të kryesojë tabelën e klasifikimit me 16 pikë, 8 më shumë se kundërshtari i tyre i sotëm, Arbëria, që mban pozitën e tretë dhe 7 më shumë se Drita e Ardian Nuhiut, që duhet theksuar se ka edhe 3 ndeshje më pak.

Leave a Reply