Teo Hernandez pa dyshim se është dëshmuar si një ndër prurjet më të mira të Milanit viteve të fundit. Spanjolli në “San Siro” erdhi verën e vitit 2019-të nga rradhët e Realit të Madridit për shumën e 20 milionë eurove.
Ai gjatë sezonit të kaluar doli të jetë një ndër futbollistët më të rëndësishëm të Milanit, duke ndihmuar këtë skuadër edhe në pjesën ofenzive dhe duke shënuar disa gola shumë të rëndësishëm.
Teo Hernandez po vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës kuqezi edhe në këtë fillim të sezonit të ri 2020/2021 me 6 ndeshje të zhvilluara dhe një gol të shënuar në Serie A kundër Specias.
Paraqitjet e tij kanë bërë që për shërbimet e Hernandez të interesohen shumë skuadra të njohura europiane, derisa në Spanjë janë të sigurt se lojtari do të kthehet në “shtëpi”.
Sipas Don Balon, për shkak të largimit të mundshëm të Marselos, i cili kërkohet nga Interi dhe Juventusi, Zinedine Zidane i ka kërkuar presidentit, Florentino Perez, të kthejë Hernandezin te Reali i Madridit.
Megjithatë, “madrilenët” do ta kenë shumë të vështirë ta rikthejnë ish futbollistin e tyre, duke parë se vlera e tij tashmë kap vlerën e 50 milionë eurove, ndërsa e njëjta mund të rritet ende.
Shumë do të varet edhe nga kualifikimi në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Në rast se Milani arrinë të rikthehet në ligën më prestigjioze europiane në nivel klubesh, atëherë klubi kuqezi dhe 23-vjeçari mund të kërkojnë zgjidhje të tjera.
Gjithsesi, për momentin nuk imagjinohet një largim i Hernandez nga Milani, duke pasur parasysh se i njëjti është i lidhur me kontratë me “kuqezinjtë” nga San Siro deri verën e vitit 2024.