Futbolli, apo më mirë thënë të gjitha sportet në vendin tonë mund të pezullohen sërish. Një gjë të tillë po mendon Komisioni për sëmundje infektive, që për të hënën ka paralajmëruar se para Qeverisë do të propozojë një sërë masash të reja, në rast se numri i të prekurve nga koronavirusi vazhdon të rritet.
“Ne presim që mbajtja e maskave në ambient të hapur të hyjë në fuqi. Këtë mëngjes kemi biseduar për masa shtesë. Të hënën ne do të propozojmë kufizim në kapacitetin e njerëzve në transportin publik, një ndalim të plotë për të gjitha aktivitetet. Kjo do të zvogëlojë numrin e njerëzve të infektuar me koronavirus,” ka thënë Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Këto masa janë përveç atyre që tashmë janë duke pritur për ndryshime ligjore, mbajtja e detyrueshme e maskave në të hapur, grupimi i ndaluar pas orës 22 dhe kufizimi i vizitave në shtëpi.
Tani për tani, ngjarjet sportive vazhdojnë në Maqedoni pa praninë e publikut, por nëse vazhdon rritja e rasteve pozitive në sport, të cilat janë përhapur sidomos në hendboll dhe basketboll, është e qartë se do të ketë ndalim të ngjarjeve sportive.