16 tetori mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e Barcelonës, por edhe La Ligas në përgjithësi.
Historia e skuadrës “katalunase” do të ndryshonte përgjithmonë pikërisht 16 vjet më parë.
Barcelona në atë datë, mposhte rivalin lokal, Espanjollin me rezultatin minimal 1:0, ndërsa pikërisht në atë ndeshje debutimin e tij me ekipin e parë kishte bërë Lionel Messi, i cili më pas u shndërrua në një nga futbollistët më të mirë që ndonjëherë ka njohur bota e futbollit.
Messi para se të merrte ftesën për në ekipin e parë, kishte bërë disa paraqitja për ekipin e dytë të Barcelonës në Segunda Division, duke impresionuar ish trajnerin e atëhershëm të “blaugranëve”, Frank Rajkard, që kishte vendosur ti jepte mundësinë edhe me të mëdhenjtë.
Rajkard kishte ftuar 17 vjeçarin në stol kundër Espanjoll, ndërsa në minutën e 82-të vendosi të inkuadronte argjentinasin në lojë në vend të portugezit, Deko.
Që nga ajo kohë, karriera e Messit në Barcelonë ka qenë emocionuese.
Ai në 734 ndeshje ka shënuar 635 gola, duke asistuar edhe 279 herë.
Messi ka ndihmuar Barcelonën të fitojë 10 tituj të La Ligas dhe katër herë Ligën e Kampionëve, e po ashtu edhe disa tituj të tjerë si në Spanjë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Në aspektin personal, Messi ka fituar gjashtë herë “Topin e Artë”, ndërsa gjithashtu vlen të theksohet se argjentinasi 33 vjeçari është golashënuesi më i mirë në histori të Barcelonës.