Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi sezonin e ri do të luaj në një ndër ligat më të fuqishme europiane, “Serie A”. Futbollisti me origjinë nga Prizreni i Kosovës te skuadra e njohur italiane erdhi gjatë kësaj vere nga rradhët e skuadrës turke të Fenerbahçe.
Ai gjatë ditës së sotme është prezantuar nga drejtori sportiv i “lacialëve”, vlonjati Igli Tare, i cili pranoi se nuk kishte të lehtë për ta bindur Muriqin për të veshur fanellën e Lacios.
“Nuk fshihem, është kënaqësi të prezantoj Muriqin. Negociata për ta marrë atë ishin të lodhshme dhe të gjata, por jemi të lumtur që e kemi këtu. Ai i shtohet një reparti shumë të fortë që ka emra si Imobile, Korea e Kaisedo. Vedati e plotëson këtë repart. Luajmë në tre kompeticione dhe është e rëndësishme t’i kemi të gjithë”, tha Tare, duke prezantuar dhe njëkohësisht duke i dhënë fjalën sulmuesit shqiptarë, i cili që në start bëri me dije se do jetë Muriqi i Lacios dhe jo Ibra i Lacios, nofkë të cilën i kishin vënë tifozët “lacial”.
“Së pari është një nder të jem këtu dhe do të bëj më të mirën time për të ndihmuar Lacion. Sa i takon nofkës Ibra i Kosovës, u them se do të jem Muriqi i Lacios dhe jo Ibra i Lacios”, – është shprehur Muriqi.