Kampioni i botës Robin Haxhi Krasniqi ka thënë se suksesi i arritur të shtunën e kaluar ka ardhur pas një punë të mundimshme dhe shumë sakrificave në 15 vitet e tij të karrierës.
Në konferencën e mbajtur në Prishtinë, Krasniqi është shprehur krenar që ka arritur ta nderojë Kosovën me titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë, derisa është shprehur falënderues ndaj shtetit gjerman, i cili ia dha mundësinë që të integrohet dhe të jetë i suksesshëm në botën e sportit.
“Është një fitore e përbashkët. Të gjithë shqiptarët më kanë konsideruar si anëtar i familjes së tyre. Është krenaria jem që e kam nderu Kosovën me këtë titull. I falënderoj të gjithë shqiptarët për mbështetjen. Gjithashtu i jam shumë mirënjohës Gjermanisë që ma kanë dhënë këtë mundësi dhe falë kësaj sot jam kampion bote, por gjithmonë e kam pasur në shpirt të luftoj kuqezi. Jam i flaktë për vendim tim, vazhdimisht kam dalë në ring me muzikë shqip dhe me ngjyrat kuqezi. Ka qenë ëndërr e imja që një ditë ta realizoj këtë sukses”, ka theksuar Krasniqi.
Ai lufton nën flamurin gjerman, derisa u shpall kampion i botës në ËBA dhe kampion bote në IBO në kategorinë gjysmë të rëndë pasi e mundi gjermanin, Dominik Boesel me një nokaut dërrmues në raundin e tretë të shtunën në Magdeburg.
“Ky sukses ka vonuar 15 vjet. Ky grusht ka qenë grusht i 15 viteve. Gjithë vuajtjet e këtyre 15 viteve dhe gjitha ato sakrifica kanë qenë në atë grusht. Tani ëndrra ime është që të boksoj në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, ka shtuar Krasniqi.
Ai tutje ka folur edhe për prindërit e tij, të cilët e përjetojnë me emocione të mëdha çdo dalje të tij në ring. “Sikur ta dëgjoja babin e mamin moti do ta kisha lënë boksin. Dhimbjen më të madhe e kanë pasur prindërit. Ata e njohin rrugën time të plotë dhe sa sakrificën e kam bërë për të arritur deri këtu. Familja i kanë dridhjet shumë të mëdha sa herë dalë në ring dhe mezi presin që ta lë boksin. Megjithatë, ende nuk është koha për atë vendim”, ka nënvizuar Krasniqi.