Edi Reja do të ndryshojë formacion sot përballë Lituanisë, aty ku pritet të vi me emra të rinj në krahët e mesfushës. Strategu italian i “kuqezinjëve” ka vendosur të bëjë tri lëvizje në formacion në krahasim me ndeshjen ndaj Kazakistanit.
Kombëtarja shqiptare do të rreshtohet me skemën 3-5-2, duke i dhënë besim sërish treshes Gjimshiti, Dermaku dhe Kumbulla në mbrojtje, e gjithashtu kapitenit Berisha në portë. Risitë e Rejës janë krahët e mesfushës, aty ku në të djathtë pritet të debutojë Albi Doka, ndërsa në të majtë ka balotazh mes Memollës dhe Lenjanit.
Në seancën e fundit në “LFF Stadium”, trajneri Reja konfirmoi në mesfushë treshen Abrashi-Bare-Kallaku. Për Abrashin, i cili vinte nga një problem fizik do të vendoset vetëm pak orë para ndeshjes, ndërsa në vend të tij është gati Qazim Laçi.
Sa i përket ofensivës me dy lojtarë të deklaruar, i sigurt është aktivizimi nga minuta e parë i Armando Brojës.
Sulmuesi i Viteshes në Holandë ka fituar besimin e Rejës pas paraqitjes tri ditë më parë kundër Kazakistanit, ndërsa dilema e vetme është se kush do të shoqërojë atë në repartin ofenziv, Taulant Seferi apo Xhiakomo Vrioni, me kumanovarin që duket më i avantazhuar.
Ndeshja Lituani – Shqipëri do të zhvillohet sot me fillim në ora 18:00 në qytetin e Villnus.