Barcelona është shpallur kampione e Europës në futsal, pasi në finalen e madhe të edicionit 2019/2020 mundi skuadrën e Murçias me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo hera e tretë që Barcelona fiton trofeun e Ligës së Kampionëve, pas atyre në vitet 2012 dhe 2014. Ndryshe deri në finalen e madhe Barcelona arriti falë fitores në gjysmëfinale ndaj skuadrës ruse të KPRF, edhe atë vetëm pas ekzekutimit të penaltive (5:4), pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 3:3.
Në gjysmëfinalen tjetër Murçia me shifrat 2:1 kishte mundur ekipin e Tyumen, që bënte pjesë në grupin “B” të fazës së “Elite Round”, bashkë edhe me skuadrën e Novo Vrijeme, kundërshtarin e Futsal Shkupit në “Main Round”, që si fitues i grupit 6-të, ishte kualifikuar në mesin e 16-të skuadrave më të mira në Europë.
Novo Vrijeme garat në “Elite Round” në kuadër të grupit “B” i mbylli në pozitën e 3-të me 1 fitore, 1 barazim dhe 1 disfatë, ndërsa kujtojmë se e njëjta skuadër në “Mein Round” kishte mundur Futsal Shkupin me rezultatin 4:2.
Përveç kësaj disfate skuadra nga Çairi kishte pësuar edhe nga armenët e Leo (2:7), ndërsa fitoren e vetme historike në kuadër të grupit 6, e kishte arritur përballë qipriotëve të Omonia Nikozia, nga e cila skuadër Renan Mantelli me 16 gola të shënuar doli të jetë golashënuesi më i mirë i ndeshjeve të Ligës së Kampionëve për edicionin 2019/2020.
Sa i përket renditjes së skuadrave më të mira për edicionin e kaluar në Ligën e Kampionëve, Futsal Shkupi renditet në pozitën e 25-të nga gjithsej 54 skuadra që morrën pjesë. Skuadra kampione e Kosovës, Prishtina renditete në pozitën e 30-të, ndërkohë ajo e Shqipërisë, Tirana renditet vetëm në pozitën e 43-të, transmeton “infOSport.mk”.
Kujtojmë Futsal Shkupi edhe këtë edicion do të përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, aty ku vitin e kaluar si nikoqir me mjaft sukses kishte kaluar fillimisht fazën paraeliminatore, duke shënuar 3 fitore nga po aq ndeshje në kuadër të grupit “B”, përballë kampionëve të Uellsit, Cardiff University (5:0), atyre të Andorrës, Encamp (11:1) dhe të Letonisë, Lokomotiv Daugavpils (3:2).
Tashmë mbetet të shohim se kush do të jenë kundërshtarët e Futsal Shkupit për edicionin 2020/2021. Një gjë të tillë do të mësojmë me 27 tetor, kur edhe zyrtarisht do të hidhet shorti për edicionin e ri garues në ligën më prestigjioze europiane në futsal.