NBA ka ulur siparin e sezonit 2019-2020, me Los Anxheles Lejkers që u shpallën kampion, pasi në finalen e madhe mposhtën Majami Hit me rezultatin e përgjithshëm 4-2.
Nē një sezon të pazakontë për shkak të koronavirusit, që zgjati përtej pritshmërive dhe që i detyroi të gjitha skuadrat të grumbulloheshin në Orlando për të luajtur ndeshjet e mbetura, ishin kalifornianët që u treguan superiorë dhe në fund ia dolën të festojnë.
Vetëm dy ditë pasi shpërdoruan “match point”-in e parë, mbrëmjen e djeshme në “AdventHealth Arena” të Orlandos, Lejkersat triumfuan me rezultatin 106-93.
Ashtu edhe si gjatë gjithë sezonit, LeBron Xhejms ishte protagonisti absolut te Lejkersat, me 28 pikë të shënuara, 14 topa të rikuperuar dhe 10 asiste, ndërsa skuadra kaliforniane dominoi në tre fraksionet e para, duke çuar avantazhin në 26 pikë dhe i lejoi vetes që të niste festën që në pjesën e fundit të lojës.
Kështu LA Lejkers festoi titullin e 17-të në histori, që erdhi pas një dekade. Në këtë mënyrë ata u barazuan me Boston Selltiks në krye të renditjes së skuadrave me më shumë trofe në NBA.
Winning their 17th title, the @Lakers have now tied the @celtics for most championships by an NBA franchise.
The top five:
BOS – 17
LAL – 17
CHI – 6
GSW – 6
SAS – 5— NBA History (@NBAHistory) October 12, 2020
Finalja e mbrëmshme për LA Lejkers ishte e 32-të, nga të cilat kanë humbur 15 dhe kanë fituar 17, ndërsa numrin e njëjtë të trofeve Boston Selltiks e ka fituar në vetëm 21 finale.
LeBron Xhejms u shpall më i miri i finales, ndërsa me shumë gjasa do të jetë edhe MVP-ja i sezonit, pasi ka qenë protagonist i padiskutueshëm i suksesit të Lejkersave, me shifra mesatare prej 30.2 pikësh, 11.2 rikuperimesh dhe 8.2 asistesh për ndeshje.