Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola përballë Kazakistanit në ndeshjen e xhiros së tretë në grupin 4 të Ligës “C” të Kombeve, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse rastet nuk munguan, sidomos në pjesën e dytë, “kuqezinjtë” e Edi Rejës nuk arritën që të marrin tre pikëshin e planifikuar kundrejt një kundërshtari më të dobët.
Dy futbollistët e rinj, Armando Broja dhe Taulant Seferi patën rastet më të mira për të shënuar golat debutues me fanellën e kombëtares A të Shqipërisë, mirëpo fati nuk ishte me ta.
Sidomos në rastin e Brojës, i cili me një parabolë shumë të bukur mposhti portierin vendas, por njëri prej mbrojtësve kazak arriti të largojë topin në vijën fatale.
Broja sërish ishte gati të përfitonte nga një pasiguri në mbrojtje, duke goditur me të djathtën nga hyrja e zonës, por topi shkoi pak centimetra larg shtyllës.
Rastin më të mirë për të kaluar Shqipërinë në epërsi e pati rezervisti Taulant Seferi, i cili njëherit në këtë ndeshje bëri edhe debutimin e tij me fanellën “kuqezi” në një ndeshje zyrtare të Ligës së Kombeve. Kumanovari pasi u shërbye mirë nga ana e Brojës, doli i vetëm përballë portierit, por megjithatë nuk arriti që të shënojë dhe të shndërrohej në heroin e këtij takimi te Kombëtarja shqiptare.
Kështu në fund rezultati mbeti i pandryshuar, me Shqipërinë që bashkë me Kazakistanin ndajnë pozitën e parë në grup me nga 4 pikë, ndërsa pas tyre me nga 3 pikë renditen Bjellorusia dhe Lituania që ndeshjen e tyre e zhvillojnë me fillim në ora 18:00.