Përfaqësuesja e Kosovës nesër në Shkup në përballjen ndoshta më të rëndësishme, që kur kjo skuadër është pranuar në FIFA dhe UEFA, do të duhet të luaj pa yjet kryesore, njofton “infOSport.mk”.
Kosova nesër në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kombeve për edicionin 2019/2020 do të duhet të luaj pa tre yjet kryesore, Vedat Muriqi (Lacio), Milot Rashica (Verder Bremen) dhe Amir Rrahmani (Napoli).
Nëse për këta dy të parët opinioni sportiv e kishte të qartë se nuk do të munden të paraqiten, të paktën shpresonin që në fushë të zbriste kapiteni i tyre, Amir Rrahmani.
Ky i fundit luan te Napoli në Serie A, kampionat ky në të cilin u paraqitën disa raste me “Covid 19”. Te skuadra “napolitane” pozitiv me Covid 19 rezultoi futbollisti i Maqedonisë së Veriut, Elif Elmaz, i cili nuk ka udhëtuar fare drejt Shkupit, por jo edhe Rrahmani, njëjtë sikurse edhe Goran Pandev i Xhenoas.
Mirëpo ky i fundit edhe përkundër faktit se skuadra e tij ka numrin më të madh të të infektuarve në Serie A, arriti që të udhëtojë drejt Shkupit dhe ti bashkohet përfaqësueses së Maqedonisë. Një gjë e tillë megjithatë nuk ndodhi me Amir Rrahmanin, gjë të cilën nuk mund ta kuptojë edhe vetë seleksionuesi i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Çallandes.
“Unë mund ta shpjegoj se çfarë ka ndodhur por jo edhe ta kuptoj edhe aq mirë pse ka ndodhur kështu. Po jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme me virusin e COVID-19 dhe disa gjëra janë dukshëm më të vështirësuara sesa që janë në kushte normale. Kemi bërë maksimumin duke provuar përmes UEFA-s, përmes FIFA-s, përmes federatës italiane, përmes regjionit të Napolit, pra në çdo formë kemi provuar që Amirin ta kemi me ne këtu, kjo nuk ka qenë e mundur, dhe për ne ka qenë e pakuptueshme, siç është e pakuptueshme, se nga i njëjti shtet, nga një klub që ka shumë raste pozitive, dikush të mund të jetë pjesë e ekipit (rasti Goran Pandev)” – ka thënë në konferencën e sotme për shtyp trajneri zviceran i përfaqësueses së Kosovës.