Ka marrë fund “telenovela” Milot Rashica, i cili sezonin e ri do të luaj në Premierligë dhe në grupet e Liga Europa. Ylli i përfaqësueses së Kosovës do të luaj me skuadrën e Leçester Siti, që sezonin e ri në Premierligë e nisi shumë vrrullshëm.
Rashica ishte shumë afër kalimit te Bajer Leverkuseni, edhe atë në ditën e fundit të afatit kalimtarë, mirëpo mungoi marrëveshja e duhur mes skuadrave, gjë kjo që shtyu Rashicën drejt Premierligës.
Rashica, i cili shkëlqeu me Verder Bremen në Bundesligë, kishte oferta të ndryshme si nga Gjermania (RB Lajpcig, Volfsburg, Bajer Leverkusen), ashtu edhe nga Anglia (Aston Villa, Leçester Siti).
Mirëpo djaloshi nga Vushtrria varej nga klubi gjerman, që priste ofertën e duhur, dhe si duket e ka marrë nga anglezët e Leçester Siti, të cilët në arkat e skuadrës së Verder Bremen do të derdhin 15 milion sterlina.
Nuk dihet ende se sa do të përfitojë Rashica dhe për sa vite do të nënshkruajë me “dhelprat”, por ajo që raportohet ka të bëjë me programimin e vizitave mjekësore ditën e sotme. Sulmuesi do i kryejë ato në Gjermani dhe më pas do fluturojë drejt Anglisë për të nënshkruar dhe prezantuar me fanellën e Leçester Sitit.